NBA, mësohet kalendari i sezonit të ri. Nis me Cavs-Knicks, por çfarë spektakli për Krishtlindje

12/08/2016 00:00

Kampionati amerikan i basketbollit, NBA, ka bërë tashmë zyrtar kalendarin për sezonin e ri 2016-2017, që do të nisë më 25 tetor për t’u përmbyllur më 12 prill. Mes kësaj periudhe janë plot 1230 ndeshje që do të luhen. Vetëm tri ditë pas përfundimit të sezonit të rregullt do të nisin edhe “play-off”-et dhe gara e vërtetë për titullin.

Nisja e sezonit të ri do të jetë menjëherë me dy përballje tepër të nxehta dhe spektakolare. Bëhet fjalë për natën e parë të NBA, kur do të zbresin në tapet Cleveland Cavaliers, kampionë në fuqi dhe me një udhëheqës si LeBron James, kundër New York Knicks, ndërkohë që Golden State Warriors, finalistët e vjetshëm tashmë me Kevin Durant në ekipin e tyre, do të vihen përballë San Antonio Spurs, me teksanët që do të luajnë për herë të parë që prej vitit 1997 pa Tim Duncan.

Në natën e dytë, më 26 tetor, do të zbresin edhe Los Angeles Lakers, teksa këta ashtu sikurse San Antonio, do të zbresin në parket për herë të parë pas 20 vitesh pa Kobe Bryant. Por edhe Philadelphia 76ers, që në draftin e fundit kishte zgjedhjet e parë absolute, konkretisht Ben Simmons, ekip që do të vihet përballë Oklahoma City Thunder, tashmë të udhëhequr nga Russel Westbrook.

Kalendari është shumë i gjatë, por sfida për të mos u humbur do të jenë ato të 4 nëntorit, kur Derrick Rose do të zbresë me Knicksat në Chicago kundër Bullsave; më 10 nëntor do të jetë e para herë e Dëyane Wade në Miami kundër Heatsave; më 11 shkurt të vitit të ardhshëm pritet rikthimi “armiqësor” i Kevin Durantit në Oklahoma City por këtë herë me fanellën e Warriors. Dhe si gjithmonë, një natë e ngjeshur me spektakël do të jetë edhe ajo e 25 dhjetorit, për festën e Krishtlindjeve, kur në orën 20:30 me tonën do të zbresin kundër njëri-tjetrit Cleveland Cavaliers dhe Golden State Warriors, një ripërsëritje e finaleve të sezonit të kaluar.

Top Channel