Juventus, Allegri: E nisim nga zero si të gjithë. Pogba? Superoperacion ekonomik

12/08/2016 00:00

Juventusi është përforcuar shumë në merkato, por Allegri nuk kërkon të jetë shumë euforik, e ka preferuar të qëndrojë me këmbë në tokë.

“Është formuar një grup i shkëlqyer, por kjo nuk do të thotë që gjithçka e kemi të sigurtë tani dhe fitoret do të vijnë pa mund”, ka thënë ai për mediat italiane. “Aktualisht jemi në kuotën e zero pikëve, ashtu si të gjitha skuadrat e tjera”.

Sa i përket shitjes së Pogbasë, një prej lojtarëve më të mirë të bardhezinjve gjatë sezonit të kaluar, Allegri është shprehur se “ka qenë një operacion i jashtëzakonshëm në nivel ekonomik. Paul Pogba është rritur shumë dhe mund të përmirësohet edhe më shumë në të ardhmen. Ndaj dhe i uroj gjithë të mirat, e ndoshta që të përballemi bashkë në Champions League”.

Juventusi duket se i ka kompletuar të gjitha repartet për të qenë kompetitiv tashmë edhe në Europë, duke parë se në Itali e dominon Serie A prej disa sezonesh.

“Besoj se gjithçka nisi përpara 5 vitesh dhe, vit pas viti ky ekip është përforcuar ndjeshëm, – shpjegon Allegri. – Juventusi duhet të jetë ende një skuadër kompetitivie, për të luftuar në të gjitha frontet, pasi vetëm në rivalitet e sipër të gjithë ne mund të japim diçka më shumë për të arritur objektivat. Të fitojmë titullin e gjashtë në Itali? Do të ishte diçka që do të na fuste në histori dhe do na kthente në legjendë, por duhet të përmirësojmë ecurinë edhe në Champions, e pse jo t’i shkojmë deri në fund. Këto vitet e fundit kemi mundur të shkojmë deri në finale, e kemi luajtur edhe në 1/8-at kundër Bayern Munchen. Por të mos harrojmë Superkupën dhe Kupën e Italisë”.

Top Channel