Hetimet për vdekjen e adoleshentit në Sharrë: Kush e punësoi në të zezë?

12/08/2016 00:00

Prokuroria e Tiranës vijon me marrjen në pyetje të punonjësve në landfillin e Sharrës për të hedhur dritë mbi rrethanat sesi 17-vjeçari Ardit Gjoklaj ishte punësuar dhe si ai humbi jetën duke u masakruar nga një eskavator.

Grupi  i hetimit ka pyetur shtetasin Bujar Daja, i punësuar si ekonomist i firmës 3R, i cili është shprehur se detyrën për të punësuar njerëz e kishte i shpalluri në kërkim, Edurim Teqja, administrator i firmës. Edhe ky shtetas ka mohuar të kishte informacion për adoleshentin.

Prokuroria deklaron se megjithëse në dokumentacion rezulton se përgjegjës për mbarëvajtjen e punës në Sharrë ishte caktuar Teqja, në të vërtetë këtë funksion e kryente si i paregjistruar shtetasi Besnik Braha, për të cilin më herët gjykata ka vendosur masën “arrest me burg”.

I pyetur nga prokurorët për ngjarjen, Braha është shprehur se një ditë pas tragjedisë ka shkuar në landfill për të furnizuar mjetet dhe dy orë më pas është telefonuar nga shtetasi Elton Meta. Përgjegjësi i turnit të parë e ka njoftuar se punonjësit kanë zbuluar një trup të pajetë. 

Të pyetur nga prokurorët, fillmisht drejtuesit e firmës janë shprehur se nuk e njohin viktimën, duke hedhur dyshimet se ndonjë makinë e plehrave e kishte hedhur aty, version ky që është rrëzuar nga hetimet e mëpasshme.

Prokuroria thotë se nga këqyrja dhe ekspertiza, rezulton se adoleshenti është goditur nga eskavatori që drejtohej nga Edmond Kallari, aktualisht nën arrest me burg për veprën drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt dhe shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë.

Top Channel