KLSH akuzon kryetaren e KQZ-së: Abuzoi me votimin elektronik

12/08/2016 00:00

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka çuar për ndjekje penale kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterie Luzi, për abuzime financiare me projektin e votimit elektronik.

Projekti pilot u tentua të zbatohej në Tiranë dhe Fier në zgjedhjet e vitit 2013, por edhe pse dështoi në të dy rastet, KQZ i pagoi kompanisë private mbi 2.5 milionë euro.

Kontrolli i Shtetit vlerëson se, KQZ ka qenë e vetëdijshme se projekti do të dështonte, por qëllimisht e ka vazhduar procedurën duke i dhënë kompanisë private pagesa të pamerituara.

“Dështimi i paramenduar çon në konkluzionin që ky projekt ka qenë një projekt fiktiv, i cili në mënyrën se si ishte kontraktuar kishte të garantuar dështimin dhe jo suksesin e tij”, thotë padia e KLSH.

KLSH vlerëson se të dyja kontratat janë nënshkruar duke cënuar interesin, çka sipas tij faktohet edhe nga konstatimet e Avokatit të Shtetit.

Sipas KLSH, zyra e Avokatit të Shtetit kishte rekomanduar ndryshimin e 6 neneve të kontratës dhe heqjen e 4 neneve të tjera, të cilat favorizonin kompaninë private, por KQZ nuk ka marrë parasysh asnjë prej tyre.

“KQZ ka favorizuar kompaninë “Indra” në ofrimin e një shërbimi të pavlefshëm dhe marrjen e pagesave të pamerituara, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik në vlerën 2.5 milionë Euro”, thuhet më tej në padi.

Për këto arsye, Kontrolli i Shtetit thotë se e gjithë vendimmarrja e KQZ në lidhje me përcaktimet kontraktore që kishin të bënin me zgjidhjen e kontratës, favorizimin e kompanisë dhe dhënien ndaj saj të pagesave të panevojshme ka qenë e qëllimshme.

Top Channel