Veliaj: Kthyem besimin tek institucionet publike

12/08/2016 00:00

Nga kopshti i rikonstruktuar nr. 51 në kryeqytet, Erion Veliaj u shpreh se falë punëve të deritanishme është rikthyer besimi i qytetarëve tek institucionet publike.

“Kemi 200 princër dhe princesha në këtë kopësht, që do të thotë se kemi kthyer besimin tek institucionet publike”, tha kryebashkiaku.

Sipas tij, ky besim vjen si pasojë e menaxhimit të mirë, që ndonjëherë tejkalon edhe atë të institucioneve të ngjashme private në kryeqytet, të cilët avantazhin e vetëm deri dje kishin ambientet më komode: “Me punën që kemi bërë me çerdhet dhe me riparimin që po i bëjmë të 23 kopshteve, besoj se kemi krijuar disa streha ideale për të gjithë princeshat e princërit tanë, e të gjithë futbollistët e ardhshëm, shefat e mëdhenj”.

Veliaj vuri në dukje se për herë të parë kopshtet nuk u mbyllën gjatë muajit gusht, për t’i qëndruar pranë fëmijëve që nuk kanë mundësi të shkojnë me pushime. Për kryebashkiakun, kjo është prova më e mirë se bashkia është gjithmonë në punë.

“Shpresoj që duke pasur një kopësht të mirë dhe shkolla të mira, do të kemi një Tiranë shumë më të mirë, kur ju të gjithë të jeni rritur dhe të bëni gjërat e duhura”, tha Veliaj.

Rikonstruksioni i kopshtit nr. 51 pati edhe ndihmën e banorëve të zonës, për të cilët Veliaj u shpreh mirënjohës: “Më vjen mirë që përveç gjithë kompanive, ka ndihmuar edhe komuniteti, dikush me mundësitë modeste që ka pasur, dikush me perde, dikush me disa mobilje, por unë them se kemi bërë një punë fantastike në këtë kopësht”.

Top Channel