Kosovë, Mustafa: Qeveria riformatohet pas ratifikimit të demarkacionit

11/08/2016 00:00

Riformatimi i Qeverisë së Kosovës do të ndodhë pas përfundimit të ratifikimit të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Kjo është deklarata e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, i cili tha ndër të tjera se janë duke punuar me partnerin e koalicionit mbi mënyrën e riformatimit të qeverisë. Megjithatë, ai ka theksuar se kjo nuk do të përfundojë para shtatorit.

“Ne po punojmë për këtë së bashku me partnerin e koalicionit. Jemi duke biseduar lidhur me format e riformatimit. Unë nuk mund t’iu them nëse kjo do të kryhet para 1 shtatorit, pasi janë edhe pushimet, të cilat edhe ne do t’i shfrytëzojmë. Mendoj se, sapo ta përfundojmë çështjen e demarkacionit do t’i qasemi seriozisht dhe do ta bëjmë një riformatim të Qeverisë”, tha Mustafa.

Kryeministri i Kosovës, duke folur para gazetarëve në Ferizaj është shprehur i bindur se, me të përfunduar çështja e demarkacionit me Malin e Zi, përveç riformatimit teknik do t’i qasen edhe reformimit të agjencive qeveritare dhe atyre të pavarura.

“Me këtë nuk nënkuptoj vetëm riformatim teknik të Qeverisë, por edhe riformatim substacional të kostove, sepse do të bëjmë edhe reformimin e agjencive qeveritare dhe atyre të pavarura. Duhet po ashtu të gjejmë mënyrën sesi t’i zgjedhim anëtarët e bordeve për kompanitë publike dhe institucionet e pavarura, sepse ka pasur vërejtje. Ne i konsiderojmë këto vërejtje të mediave, të shoqërisë civile, dhe do t’i kemi parasysh gjithmonë. Do të gjejmë mënyrën më të mirë që të krijojmë transparencë të plotë para mediave, para publikut, para qytetarëve dhe para shoqërisë civile, për cilësitë e njerëzve që nesër do të jenë anëtarë të bordeve të kompanive publike. E them këtë, sepse jam shumë i bindur se kjo do t’i kontribuojë punës shumë më të suksesshme të këtyre kompanive”, tha Mustafa.

Top Channel