Moska nuk u jep viza kosovarëve “të kuq”

11/08/2016 00:00

Ende pa nisur 90-minutëshi i parë ndaj Krasnodarit, Partizani e ka nisur me probleme fazën e “play-off”-eve të Europa League. Moska zyrtare nuk pranon të pajisë me viza dy futbollistët me pasaportë kosovare, Ibrahimi dhe Ramadani.

Zëdhënësi i klubit të kuq, Olsi Ranxhi pohon për Top Channel se, Ambasada ruse në Tiranë është treguar bashkëpunuese, por për shkak se Rusia ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, e gjithë çështja mbetet në duart e zyrtarëve rusë të Ministrisë së Brendshme.

Sipas Ranxhit, drejtuesit e Ambasadës së Rusisë në Tiranë po mbajnë kontakte të vazhdueshme me zyrtarët rusë për të mbyllur me sukses këtë ngërç, i cili në rast moszgjidhjeje do të jetë një precedent edhe për UEFA-n, që pak kohë më parë e njohu Kosovën si anëtare me të drejta të plota të këtij organizmi.

Drejtues të klubit Partizani pohojnë se, UEFA është vënë në dijeni për të gjitha hapat që janë ndjekur deri tani për pajisjen me vizë të dy futbollistëve kosovarë, që janë dhe pjesë e formacionit bazë të ekipit.

Ende nuk dihet se çfarë rruge do të ndjekë skuadra shqiptare, nëse Ibrahimi dhe Ramadani nuk do të pajisen me vizë. Pak kohë më parë, edhe Majlinda Kelmendi hasi probleme në Moskë. Ajo shkoi atje me pasaportë shqiptare dhe, pas daljes kampione, në fillim nuk iu lejua ngritja e flamurit kosovar, por më pas, falë dhe ndërhyrjes së Presidentit Vladimir Putin, ky problem u zgjidh.

Top Channel