Demarkacioni, ambasadori Delawie: Në përputhje me hartën në flamurin e Kosovës

11/08/2016 00:00

Në debatin për demarkacionin të datës 3 gusht, ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Greg Delawie kishte prezantuar qëndrimin e qartë amerikan në favor të ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi.

Delawie, ndër të tjera kishte folur pikërisht për hartën në flamurin e Kosovës, duke thënë se ky proces i kryer nga Komisioni Shtetëror i Kosovës, është në përputhje të plotë me atë hartë në flamur.

Sipas ambasadorit Delawie, ndryshimet e kërkuara nga disa palë politike do të rezultonin në mënyrë të qartë me një skicë të ndryshuar të Kosovës, krahasuar me atë në flamur dhe në stemë.

“Do të doja të vija në pah se kufijtë e komisionit janë të njëjta me ato të paraqitura nga Kosova te ‘EuroGeographics’ në vitin 2007, në përgatitjet për pavarësi. Ato janë të njëjtat me ato të përdorura në planin e Ahtisaarit, që përbën edhe bazën e pavarësisë së Kosovës. Ato janë të njëjtat me ato të përshkruara në Kushtetutën e Kosovës, me ato të paraqitura në flamurin e Kosovës, të cilin Kuvendi e ka miratuar në vitin 2008. Ndryshimet, të cilat i kanë kërkuar disa, do të rezultojnë në mënyrë të qartë me një skicë të ndryshuar të Kosovës, krahasuar me atë në flamur dhe stemë. Pra, për mua kjo çështje është shumë e thjeshtë”, ka thënë ambasadori Delawie.

Top Channel