Parlamenti i Serbisë ka aprovuar këtë të enjte një qeveri të re populiste të udhëhequr nga kryeministri Alexandar Vuçiç, e cila ka premtuar të ndjekë rrugën e integrimit të vendit ballkanik në Bashkimin Europian, ndërkohë që kërkon të ruajë edhe marrëdhënie të ngushta me Rusinë.

Qeveria është votëbesuar me 163 vota pro dhe 62 kundër, pas tri ditësh debatesh të nxehta dhe një fjalimi maratonë hapës nga kryeministri Vuçiç.

Kryeministri serb e ndërpreu përpara kohe mandatin e kaluar dhe bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme në muajin prill, duke thënë se kërkonte një mandat të qartë për të vijuar me reformat proeuropiane. Opozita e akuzoi Vuçiçin, një ish-ultranacionalist i kthyer në reformator, se ka eliminuar disidentët dhe ka penguar lirinë e shprehjes në Serbi.

Veç anëtarëve të Partisë Progresive Serbe (SPP) të drejtuar nga Vuçiç, kabineti i ri qeveritar përfshin edhe anëtarë të Partisë Socialiste proruse. Për herë të parë në një komb tejet konservator, qeveria përfshin edhe një ministër homoseksual.

Serbia ka kërkuar prej kohësh të balancojë marrëdhëniet e saj historike me Moskën, me objektivin e shpallur të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ajo mbetet e vetmja aleate e Rusisë, jo anëtare e NATO-s, në Ballkan, aty ku Moska ka pasur tradicionalisht një ndikim të fortë.

Beogradi ka refuzuar t’iu bashkohet sanksioneve të Bashkimit Europian kundër Rusisë për shkak të politikave të saj në Ukrainë, ndërsa Moska ka mbështetur pretendimet e Serbisë për mosnjohjen e Kosovës. Analisti i politikës së jashtme, Aleksandar Joksimoviç parashikon që Serbia do të vijojë me të njëjtat politika edhe nën qeverisjen e re. “Për momentin, duket se nuk ka asnjë presion ndaj Serbisë për të zgjedhur njërën prej këtyre dy anëve”, tha Joksimoviç.

Beogradin pritet ta vizitojë gjatë javës së ardhshme zv.presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ndërkohë që kryeministri rus, Dmitry Medvedev do të zbresë në vendin ballkanas gjatë muajit të ardhshëm.

Top Channel