Ja plani antiterror i Gjermanisë. De Maiziere refuzon ndalimin e burkave

11/08/2016 00:00

Shtetasit gjermanë me dykombësi do të humbasin atë të Gjermanisë nëse verifikohet të kenë shkuar të luftojnë në krah të militantëve të grupeve islamike jashtë vendit. Ky është njëri ndër rregullat e fundit të planit të ri të propozimeve antiterror në Gjermani.

Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere bëri publik gjithashtu planet për të përshpejtuar deportimin e kriminelëve të huaj. Ai njoftoi gjithashtu shtimin e personelit, mjeteve dhe fuqisë mbikëqyrëse për policinë.

Por, De Maiziere refuzoi ndalimin e burkave në publik, apo veshjeve që mbajnë femrat myslimane të mbuluara nga koka deri te këmbët. Madje ai i rezistoi edhe presionit për të lehtësuar konfidencialitetin mjekësor.

Disa prej kolegëve kristiandemokratë (CDU) konservatorë kishin bërë thirrje për ndalimin e burkave, por De Maiziere tha se kjo do të ishte “problematike” dhe se “nuk mund të ndalosh çdo gjë që refuzon ta pranosh”.

Ministri i Brendshëm gjerman u përgjigj teksa u pyet për sulmet e fundit të lidhura me militantët islamikë. Dy sulme terroriste nga emigrantë islamikë shokuan Gjermaninë gjatë muajit të kaluar, më konkretisht në Wuerzburg dhe Ansbach.

“Propozoj që shtetasit gjermanë, të cilët shkojnë të luftojnë me milicitë terroristë në vendet e huaja, si dhe marrin pejsë në operacionet luftarake të tyre atje, nëse kanë një kombësi të dytë, e theksoj vetëm në këtë rast, atëherë ata do ta humbasin shtetësinë gjermane”, tha ai në një konferencë për shtyp.

Një përpjekje të ngjashme ka pasur edhe në Francë për të deprivuar xhihadistët nga shtetësia franceze, por as ajo nuk mundi të kalojë përmes Parlamentit.

“Propozimet e mia janë të kufizuara në ato pika, të cilat mund të na udhëheqin drejt një forcimi të sigurisë në mënyrë të menjëhershme”, tha De Maiziere. Njëra prej masave të fundit është edhe ajo e kthimit në krim penal të “promovimit të terrorizmit”.

Çështjet e sigurisë janë bërë edhe çështje politike, teksa vendi përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm, por përpara tyre edhe për zgjedhjet rajonale. Media gjermane raporton se socialdemokratët e qendrës së majtë (SPD), që janë partnerë koalicioni me CDU-në, kundërshtojnë ashpër ndalimin e përgjithshëm të dyshtetësisë. “Të gjelbrit” nga ana tjetër janë gjithashtu kundër kësaj ideje.

Por, po konfidencialiteti i mjekëve përse është kthyer në një çështje më vete? Detyra e mjekëve është të respektojnë pacientët në mënyrë konfidenciale është e mbrojtur nga Kushtetuta gjermane, ndërsa edhe ligjet e privatësisë në Gjermani janë tepër strikte.

Ndaj, De Maiziere thotë se do të takohet me mjekët më të rëndësishëm në vend për të diskutuar sesi ata mund të japin më lehtësisht informacione te policia, në rastet kur ata dyshojnë te ndonjë pacient që mund të konsiderohet si rrezik terrorist. Deri më sot, mjekët gjermanë që thyejnë konfidencialitetin e pacientëve mund të përballen deri me një vit burgim, ose të gjobiten në shuma të majme.

Top Channel