Pretendimet ruse, Ukraina vendos në gatishmëri luftarake trupat në lindje

11/08/2016 00:00

Presidenti ukrainas Petro Poroshenko ka udhëzuar të gjitha njësitë ushtarake pranë Krimesë dhe në rajonin lindor të Donbassit, të jenë në gatishmërinë më maksimale për të luftuar, për shkak të pretendimeve të Rusisë të një dite më parë. Tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës duket se po shtohen sërish.

Të mërkurën, Moska pretendoi se kishte penguar dy përpjekje të ukrainasve të armatosur për të hyrë në Krime. Shërbimet ruse të sigurisë, FSB kanë bërë të ditur se ka pasur të paktën dy përplasje të armatosura së fundi në kufirin mes Krimesë dhe Ukrainës.

Kievi ka hedhur poshtë pretendimet e Rusisë për një përpjekje inkursioni të armatosur në gadishull, duke e quajtur këtë ankesë si “informacion të rremë”. Ndërkohë, mëngjesin e kësaj të enjteje, ministrat kryesorë të qeverisë ruse u mblodhën me anëtarë të shërbimeve të sigurisë në Moskë. Në takimin e Këshillit të Sigurisë merrnin pjesë presidenti Vladimir Putin, kryeministri Dmitri Medvedev, ministri i Jashtëm Sergei Lavrov, ministri i Mbrojtjes Sergei Choigu, ministri i Brendshëm Vladimir Kolokoltsev, përfaqësuesi i FSB-së Alexandre Bortnikov, si dhe Mikhail Fradkov, nga “Shërbimet e Huaja” apo “SVR”.

Kremlini bëri të ditur përmes një deklarate se “janë diskutuar masa shtesë për të garantuar sigurinë e shtetasve dhe infrastrukturës në Krime”. Marina ruse ka planifikuar të mbajë edhe stërvitje ushtarake në Detin e Zi, ku pritet të praktikojë sesi të zmbrapsë sulmet nënujore nga sabotatorë të ndryshëm, bëjnë të ditur agjencitë ruse të lajmeve.

Duke cituar ministrin e Mbrojtjes, mediat thonë se skenari mund të bazohet në zmbrapsjen e një sulmi nëndetëseje nga sabotatorët, pa përmendur këtu se cilët mund të jenë këta të fundit.

Një zëdhënës i Rojeve Bregdetare të Ukrainës në kufi me Krimenë tha se Rusia ka grumbulluar më shumë trupa ushtarakë gjatë ditëve të fundit, të gjithë të pajisur me mjete tepër moderne. “Mund të themi pa mëdyshje se trupat rusë që ishin atje që prej marsit, tashmë janë duke u zëvendësuar me të tjerë”, tha Oleh Slobodyan. “Këta trupa po vijnë me pajisje shumë më moderne dhe janë pjesë të njësive sulmuese ajrore. Gjatë ditëve të fundit kemi parë një përforcim të njësive ushtarake të pranishme në kufi. Numri i tyre është rritur”, tha ai.

Ndërkohë, zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm ukrainas ka bërë të ditur se Kievi ka burimet e nevojshme dhe të mjaftueshme për të mbrojtur vetveten. Vladislav Seleznyov shton se situata përreth Krimesë është duke u monitoruar.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Ukrainë, ndërkaq, ka thënë se nuk ka prova për të vërtetuar pretendimet e Rusisë mbi një inkursion të mundshëm ukrainas në Krime. Geoffrey Pyatt tha se sanksionet amerikane në lidhje me aneksimin e Krimesë nga Moska do të mbeten në fuqi deri sa territori t’i rikthehet Ukrainës.

Top Channel