Nënë Tereza “mbërrin” në Rio

11/08/2016 00:00

Katedralja Katolike Metropolitane e Rios është simboli i këtij qyteti. I ngritur në stilin modern të arkitektëve të saj të njohur, ajo dominon qendrën e qytetit ku po mbahen lojërat olimpike. Por përveç ekipit tonë olimpik, pikërisht në këtë katedrale, ka tashmë një shenjë të fortë shqiptare.

Një statujë gati dy metra e Nënë Terezës është vendosur në oborrin e saj, shumë pranë statujës së Papa Gjon Palit dhe me shikimin nga një tjetër simbol i Rios, statusë madhështore e “Krishtit të Ngjallur”.

Gjithçka nisi gjatë një vizite zyrtare të ministrit të Jashtëm Bushati në Brazil, ku u shoqërua edhe nga biznesmenë shqiptarë. Njëri prej tyre, Kadri Morina, thotë se kur kuptoi se në Brazil, një prej vendeve më katolike në botë, shumë pak dihej për origjinën shqiptare të Nënë Terezës, vendosi të bëjë diçka konkrete. 

“Ishte një rastësi, para tre vjetësh, kur bëra një vizitë. Më vonë me ministrin Bushati zhvilluam takime me organet qeveritare vendase të Rios. Ky është një popull me mbi 200 milionë katolikë dhe këta e dinin famën e Nënë Terezës, por nuk e dinin që ajo është shqiptare. Uroj që kjo statujë, si dhuratë për Katedralen e famshme të Rios, të jetë bekim për popullin brazilian dhe popullin e vendit tim”, thotë biznesmeni Kadri Morina,

E gjendur në Rio si ministër i Sporteve, Lindita Nikolla vlerësoi nismën që tashmë shton reputacionin e shqiptarëve edhe në këtë pjesë të botës.

“Është një ndjesi tejet e bukur, jo vetëm me atë që përfaqëson Nënë Tereza për gjithë botën, por gjithashtu për ne shqiptarët është një krenari e veçantë. Përtej kësaj, është goxha me vlerë të mendosh që një qytetar i Shqipërisë, një biznesmen, i cili besoj në gjithë aktivitetin e tij ka patur si busull orientuese mësimet e Nënë Terezës, bënë të mundur që busti i saj të vijë nga Shqipëria dhe t’u bashkohet të gjithë veprave të tjera dedikuar figurave të shquara të religjionit, e padyshim merr një specifikë të veçantë këtu në Rio, ku është edhe statuja më e famshme e Jezu Krishtit e do të jetë edhe Nënë Tereza jonë”, tha ministrja Nikolla.

Një meshë më pas në katedralen katolike, udhëhequr nga kardinali i Brazilit dhe një ceremoni zyrtare shoqëruan vendosjen e statujës së Nënë Terezës. Ndjekëset e saj e pritën këtë me entuziasëm.

“Prania e këtij busti këtu na sjell gëzim dhe për këtë ju jemi mirënjohëse. Ne zhvilluam edhe një ekspozitë me këtë rast për t’u treguar vendasve që ajo është nga Shqipëria. Shpallja shenjt e saj është një gëzim gjithashtu për të gjithë ne, por mbi të gjitha për ju shqiptarët”, thotë një nga ndjekëset e Nënë Terezës.

Vendosja e statujës ndodh vetëm tre javë nga shenjtërimi që Vatikani i bëri humanistes shqiptare dhe pak ditë më vonë shenjtërimit, në dhjetë shtator një meshë e madhe me mijëra të ftuar do të shënojë ceremoninë zyrtare të vendosjes së statujës së Nënë Terezës në Rio de Zhaneiro.

Top Channel