Rusia ‘kontrollon’ Aleppon

11/08/2016 00:00

Aleppo është rrënuar nga luftimet e muajve të fundit dhe Rusia është ndër të parat vende që ka vendosur të marrë në dorë situatën.

Forcat ruse kanë vendosur të pezullojnë veprimet ushtarake për tre ore në ditë në qytetin verior për të lejuar shpërndarjen e ndihmave të nevojshme humanitare. Por për zyrtarët e OKB-së, tre orë nuk janë të mjaftueshme për të ndihmuar njerëzit të cilët janë bllokuar nga luftimet.

Ka edhe raporte të një sulmi me gaz toksik në një zonë të mbajtur nga rebelët. Stafi mjekësor tha se katër persona kanë vdekur dhe shumë të tjerë janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Më herët në një letër të firmosur nga 29 mjekë, paralajmërohet se nëse vazhdojnë sulmet ndaj spitaleve dhe klinikave me ritmet aktuale, brenda një muaji nuk do të mbetet askush aty. Ndaj mjekët i kanë kërkuar presidentit amerikan Barack Obama të krijojë një zonë ndalimi fluturimesh mbi Alepo për t’u dhënë fund bombardimeve. 

250 mijë civilë janë të bllokuar në Aleppo. Luftimet intensive vazhdojnë mes rebelëve dhe forcave qeveritare siriane dhe ato ruse. Po ashtu sulmet ndaj infrastrukturës kanë lënë më shumë se dy milionë njerëz pa energji elektrike apo qasje në rrjetin e ujësjellësit publik.

Top Channel