“EuroBasket 2017”, Shqipëria pa pretendime. Sytë drejt së ardhmes

11/08/2016 00:00

Kombëtarja shqiptare e basketbollit është përgatitur intensivisht në dy javët e fundit për kualifikueset e kampionatit europian, por edhe pse me ngarkesë optimale, kuqezinjtë e koshave nuk kanë pretendime për kualifikimin.

Refuzimi i shumë emrave të mëdhenj, që aktivizohen në ekipe të njohura europiane, e ka zbehur entuziazmin e trajnerit Kostandinides, por mundësia për të hedhur bazat e së ardhmes është një objektiv konkret.

Shqipëria e ka pranuar hapur pozicionin e saj të pafavorshëm në radhët e grupit F, për kualifikimet për në kampionatin europian të basketbollit, “EuroBasket 2017”. E ndodhur përballë Gjeorgjisë, Malit të Zi dhe Sllovakisë, kompeticioni – që merr jetë këtë muaj, – përbën një çast vendimtar për sportin në vendin tonë.

Pas një periudhe përgatitore 4-vjeçare, trajneri i Shqipërisë, Antonis Constantinides ka zgjedhur paraprakisht 19 lojtarë, 12 prej të cilëve do të përfaqësojnë kombëtaren në këtë proces. Pjesëmarrja në garat e kualifikimit do të jetë “qershia mbi tortë” për revolucionin që ka marrë jetë së fundmi në basketbollin shqiptar, shkruhet në faqen “fibaeurope.com”.

Top Channel