Kultivimi i kanabisit, rreth 20 mijë bimë të asgjësuara

11/08/2016 00:00

Agjentë të policisë së Shkodrës, të ndihmuar nga njësitë e FNSH-së kanë ekzekutuar në ditët e fundit operacionin e koduar “Përtej Malit”, kundër kultivimit të kanabisit.

Burime policore lokale bëjnë të ditur se operacioni është kryer pas informacioneve të mbledhura në rrugë operative dhe pas 2 ditësh kërkime në fshatrat Shosh dhe Shalë të Dukagjinit kanë gjetur 40 parcela të kultivuara me kanabis.

Në të gjitha parcelat ishin mbjellur rreth 9.700 bimë narkotike, të cilat janë asgjësuar përmes zjarrit, ndërkohë që përgjegjësit për kultivimin nuk janë identifikuar ende.

Ndërkohë, në një operacion të ngjashëm, forcat e policisë së Përmetit kanë asgjësuar rreth 10 mijë bimë kanabis, të kultivuara në lokalitetin e Petranit.

Sipas autoriteteve lokale, uniformat blu kanë gjetur fillimisht 5 mijë bimë të mbjella në parcela dhe rreth 5 mijë të tjera të mbjella në kubik plastik. Hetimet e mëtejshme mbi këtë rast po vijojnë në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit.

Top Channel