PD: Droga rekrutoi kreun e SHISH, Rama në krye të biznesit kriminal

11/08/2016 00:00

Në listën e gjatë të drejtuesve të policisë që Partia Demokratike i akuzon si të përfshirë në biznesin e kanabisit në të gjithë vendin, opozita implikoi edhe strukturën e Shërbimit Informativ.

“Ish-shefi i komisariatit numër 4 në Tiranë, Fatmir Lleshi është transferuar drejtor në Berat, ku të dhënat tregojnë se ky qark ka numrin më të madh të rrënjëve të kanabisit në gjithë vendin. Të dhënat flasin se drejtori i SHISH në këtë zonë është paguar më 270 mijë euro që të mos raportojë parcelat me drogë”, deklaroi nënkryetari i PD, Edi Paloka në vazhdën e denoncimeve.

Paloka përmendi disa zona të mëdha me kanabis në periferi të Tiranës, në Elbasan, Ersekë, Përmet dhe Tepelenë, të kontrolluara nga njerëz të armatosur nën mbrojtjen e policisë.

“Përgjatë grykës së lumit Vjosë, prej gati 3 muajsh ulen avionë të vegjël dhe ngarkohen me drogë. Në liqenin e Kollogjesht, mali Dajt, në kufi me Elbasanin dhe Librazhdin, janë liruar zona të mëdha me fadroma për kanabisin. Ato ruhen me njerëz të armatosur”, tha Paloka.

Sipas opozitës, informacionet e dhëna këto tre ditë janë marrë nga shërbimet partnere.

Deklarata e plotë e nënkryetarit të PD, Edi Paloka:

“Megjithë faktet tronditëse për përfshirjen e drejtuesve të tij në Policinë e Shtetit në mbjelljen, rritjen, ruajtjen dhe trafikimin e drogës në gjithë vendin, Edi Rama hesht. Hesht sepse i madh e i vogël e di se ai gjendet në krye të këtij biznesi kriminal, në krye të skemës së 30 përqindëshit për çdo rrënjë kanabis.

Kemi sot të dhëna të reja për hartën e drogës, ndërthurjen e interesave dhe mënyrën se si menaxhohet ajo nga njerëzit e Edi Ramës. Informacione që vijnë nga shërbimet partnere dhe shërbimet inteligjente të vendit.

Ish-shefi i komisariatit numër 4 në Tiranë, Fatmir Lleshi është transferuar drejtor në Berat, ku të dhënat tregojnë se ky qark ka numrin më të madh të rrënjëve të kanabisit në të gjithë vendin.

Të dhënat flasin se drejtori i SHISH në këtë zonë është paguar me 270 mijë euro që të mos raportojë parcelat me drogë. Dritan Lena, që me Edi Ramën u bë drejtor i policisë së qarkut Lezhë, u hetua nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm kur ishte shef i Krimeve tek komisariati numër 4 dhe rezultoi se kishte marrë shuma parash nga një grup trafikantësh të drogës që kishin tre parcela hashashi në zonën e Zall-Bastarit.

Në Tiranë është mbuluar me kanabis zona e njohur si Çara e Selitës, përballë Qafë Mollës, mali Dajt. Pranë varrezave të Shish-Tufinës është hapur një sipërfaqe me 60 dynymë për drogë, ku janë prerë pishat e larta. Merret dhe uji i pijshëm i Selitës për të vaditur kanabisin.

Fshatarët janë mashtruar dhe trafikantët kanë ngritur stalla gjoja për blegtori, por që në fakt mbi 60 punëtorë merren me bimët narkotike. Deri tani raportohen nga 150 mijë deri në 200 mijë rrënjë.

Në liqenin e Kollogjeshit, mali Dajt, në kufi me Elbasanin dhe Librazhdin janë liruar zona të mëdha me fadroma posaçërisht për kanabisin dhe ruhen me njerëz të armatosur.

Në Zall-Bastar dhe Zgurë, Alban Ahmetaj, ish-drejtor i Forcave Operacionale, ka në zotërim parcela të tëra që ruhen nga ish-agjenti i krimeve, Hysni Mancaku.

Në Ersekë ka mbi 80.000 rrënjë të mbjella në zonat Starje, Rehovë dhe Leskovik. Shefi komisaritit të Ersekës, Robert Ibrahimi; shefi i komisariatit të Devollit, Erjon Birçe, shefi i komisariatit të Maliqit, Arian Hoxha dhe drejtori i Kufirit në Korçë, Dashamir Spaho janë të gjithë në shërbim të drogës me në krye drejtorin e policisë, Ajet Zyberi.

Në zonën e Selcës në Tepelenë janë mbjellë sasi të mëdha me kanabis. Përgjatë grykës së lumit Vjosë, prej gati 3 muajsh ulen avionë të vegjël dhe ngarkohen me drogë.

Fshatrat Bubës 1 në Përmet, Bubës 2 në Këlcyrë dhe Ballaban janë mbuluar me kanabis. Në Kolonjë, në fshatin Piskal, janë mbjellë sasi të mëdha droge.

Specialisti i SHKB-se Robert Haskaj administron sipërfaqe të tëra me lëndë narkotike në fshatin Amonic. Robert Haskaj ka mbrojtjen e drejtorit të SHÇBA-së, Arben Skëndo.

Kështu ka përfunduar Shqipëria, e zhytur në drogë. Edi Rama ka braktisur qeverisjen dhe interesat e qytetarëve dhe është në detyrë me krimin dhe për krimin.

Por droga dhe bandat e trafikantëve të Edi Ramës që kanë rrethuar çdo fshat e çdo qytet nuk janë zgjedhja e shqiptarëve. Shqiptarët nuk e duan këtë sundim mafioz dhe do ta rrëzojnë shumë shpejt. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën”.

Top Channel