Mediu: Zhvatja e pronave në bregdet, alarmante

11/08/2016 00:00

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka denoncuar këtë të enjte në një deklaratë për mediat situatën “alarmante” dhe dhunën qeveritare që sipas tij po ushtrohet ndaj pronarëve të ligjshëm në bregdetin e jugut.

“Partia Republikane dënon çdo formë të dhunës qeveritare mbi banorët e Himarës dhe gjithë bregdetit. PR kërkon kthimin e pronave në bregdet dhe mbarë Shqipërinë, si një e drejtë legjitime e banorëve të këtyre zonave që i kanë ndërtuar dhe trashëguar këto prona ndër shekuj”, ka deklaruar Mediu.

Ai ka kërkuar gjithashtu që të pronarëve të ligjshëm t’u regjistrohet prona, t’u bëhet hipotekimi dhe të pajisen me çertifikatën e pronësisë.

“Është e turpshme kur nga njëra anë qeveria legalizon paligjshmërinë dhe atyre familjeve që e kanë pronën prej shekujsh nuk ua njeh”, ka thënë Mediu.

Ai ka bërë thirrje që, “të ndalet çdo projekt shkatërrues në emër të interesit korruptiv të pushtetit”.

“Çdo plan zhvillimi ka nevojë për gjykimin dhe mbështetjen e komunitetit. As kryeministri dhe askush tjetër nuk ka të drejtë të sillet si pronar me pronat e bregdetasve. Kjo perlë e natyrës shqiptare, me potenciale të jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit do të zhvillohet vetëm atëherë kur prona të shkojë tek i zoti, por njëkohësisht, duke ruajtur vlerat historike. Betonizimi dhe babëzia kanë shkatërruar ato pak vlera historike që i kanë ngelur vendit tonë dhe kjo është një fatkeqësi kombëtare”, ka shtuar Mediu.

Top Channel