Lezhë, tenton të ndalë grabitësit, plagoset kryefamiljari

11/08/2016 00:00

Persona të maskuar e të armatosur kanë tentuar gjatë natës grabitjen e një banese në fshatin Rrilë të Lezhës.

Sipas një njoftimi të policisë lokale, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00, kur grabitësit kanë hyrë në banesë por kanë hasur në rezistencën e kryefamiljarit.

Të ndodhur në vështirësi, grabitësit e kanë qëlluar shtetasin V.S me armë zjarri dhe menjëherë më pas janë larguar pa mundur të vjedhin asgjë, vijon njoftimi.

Policia është njoftuar për ngjarjen në orën 01:17 dhe me të mbërritur në vendngjarje ka bërë të mundur shoqërimin e 66-vjeçarit në spitalin e Lezhës.

Uniformat blu, në bashkëpunim me njësitë e FNSH-së dhe RENEA-s kanë krehur zonën përreth por nuk kanë mundur të kapin autorët, të cilët kanë përfituar nga errësira dhe terreni.

Për identifikimin dhe kapjen e tyre në komisariatin e policisë janë shoqëruar disa persona, thuhet në njoftimin zyrtar. Ndërkohë, i plagosuri është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku rezulton se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Top Channel