Napoli ofron 70 milionë euro, tani vendos Icardi

11/08/2016 00:00

Icardi-Napoli është padyshim telenovela më e gjatë e kesaj vere në merkaton e transferimeve në Itali. Largimi i Higuain e ka vënë përpara përgjegjësisë presidentin e Napolit, De Laurentis dhe kërkesa e trajnerit Sarri lidhet me argjentinasin e Interit, Icardi.

Interi ka refuzuar të gjitha ofertat e napoletanëve dhe misioni i trajnerit të ri të zikaltërve është që ta bindë numrin 9 të qëndrojë në San Siro. Oferta e fundit e Napolit erdhi të mërkurën në mbrëmje: afërsisht 70 milionë euro për Interin dhe një rritje e pagës në 6.8 milionë euro në sezon deri në 2021, si dhe të drejtat e imazhit për Icardin.

Interi, përballë këtyre pretendimeve mund të thyhet vetëm në rast se sulmuesi dhe manaxherja e tij Wanda do të pranonin ofertën. Interi ndërkohë ka hedhur sytë nëpër klube të tjera dhe emrat më të lakuar janë ato të Cavani, Alexis Sanchez dhe Aubaumeyang, por që duken me vlera pak të larta për buxhetin zikaltër.

Ndërkohë, Interi orët e fundit ka hedhur syte nga një preferencë e vjetër, Lorenzo Insigne, sulmuesi i Napolit, që duket se nuk është shumë i kënaqur. Interii e shikon si alternativë B nëse nuk arrin të sjellë në Milano Gabigol. Edhe një vit më parë në ketë kohë Interi ofroi 30 milionë euro për Insigne.

Top Channel