Trump akuzon gazetarët: Deformuan fjalët e mia

10/08/2016 00:00

Republikani Donald Trump ka fajësuar mediat se deformuan fjalët e tij lidhur me thirrjen ndaj mbështetësve që të vrisnin rivalen e tij për Shtëpinë e Bardhë, Hillary Clinton.

Trump tha për Fox News se, gazetarë mashtrues kishin ndryshuar citimet e tij, që në dukje sugjeronin se aktivistët për të drejtën e armëmbajtjes mund të ndalonin zonjën Clinton nëse ajo zgjidhej.

Biznesmeni i kthyer në politikan mohoi gjithashtu nxitjen e dhunës dhe tha se, vetëm po nxiste mbështetësit e tij të votonin. Komentet e tij të së martës shkaktuan një furtunë kritikash.

Disa i interpretuan fjalët e tij si sugjerime të errëta se poseduesit e armëve mund t’i ngrenë ato kundër zonjës Clinton, ndërsa të tjerë i cilësuan ato si të papërgjegjshme e që mund të shkaktojnë pasoja të dhunshme.

Edhe figurat më të larta të kampit republikan, përmes zëdhënësit të Dhomës, Paul Ryan deklaruan se kjo ishte një shaka e papërshtatshme e Trump.

Ndersa senatorja demokrate, Elizabeth Warren u shpreh se ky ishte një kërcënim me vdekje i bërë nga një “frikacak patetik” që ka frikë nga përballja në zgjedhje me një grua.

Deklaratat kontroverse të miliarderit amerikan u bënë gjatë një mitingu në Ullmington të Karolinës së Veriut dhe sipas tij i referoheshin kompetencës së presidentit të ardhshëm për të emëruar një gjykatës për të plotësuar një vend bosh në Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara. Kandidati republikan për presidencialet tha për rivalen e tij demokrate:

“Hillary dëshiron të shfuqizojë në thelb amendamentin e dytë, meqë ra fjala; dhe nëse ajo do të zgjedhë gjyqtarët e saj, atëherë nuk do të mund të bëni asgjë, miqtë e mi. Por mbështetësit e amendamentit të dytë, mbase mund të bëjnë diçka. Nuk e di”, tha Trump.

Amendamenti i dytë përfaqëson të drejtën e armëmbajtjes në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, por deri tani nuk ka asnjë shenjë se Clinton dëshiron ta shfuqizojë atë, edhe pse synon të përforcojë kufizimet.

Top Channel