Merkatoja e milionave, shifrat e çmendura të Mourinhos

10/08/2016 00:00

Asnjëherë në karrierën e tij Jose Mourinho nuk ka patur frikë për të guxuar në blerjen e lojtarëve me çmime të çmendura, ndoshta sepse nuk prekej llogaria e tij bankare, apo ndoshta sepse dëshira për të fituar me çdo kusht bënte t’i imponohej çdo presidenti të mundshëm.

Lëvizja e fundit teknikut luzitan me 100 milionë Paund për rikthimin e Paul Pogba te Mancester Junaitid, e ka rivendosur luzitanin në reflektorët e analizave financiare.

Në total, në një përllogaritje të mediave britanike, Mourinho ka shpenzuar 850 milionë Paund për blerjen e lojtarëve të rinj, që kur zbarkoi te Çelsi, 11 vjet më parë dhe nisi të trazonte merkaton nën ritmin e parave të Roman Abramovic. Këtë verë, “Djajtë e Kuq” kanë dominuar tregun kontinental me Erik Baili, Henrik Mkhitarian dhe Zlatan Ibrahimovic, ky i fundit me kosto zero. Historia tregon se më parë portugezi arrinte përmes presioneve të jashtëzakonshme që të bindte presidentët në sakrifica financiare.

Mourinho zbarkoi në Angli në vitin 2004 i armatosur me bllokun e çeqeve të Abramovic dhe në sezonine parë, sakrifikoi 81.2 milionë Paund te “Blutë”. Kjo u pasua nga të tjera shpenzime për 3 vitet e ardhshme me një kosto 219 milionë deri në shkarkimin e parë.

Te Inter, Mourinho e ndjeu veten të varfër, por sërish e kaloi kufirin 100 milionësh, diçka që u duk pak te Reali i Madridit më vonë deri në rikthimin te Celsi. Uillian, Fabregas, dhe Diego Kosta ishin të gjitha operacione të financuara pjesërisht nga largimet, por Mourinho imponoi zgjedhjet e tij dhe faktet tregojnë se sollën tituj.

Kjo verë ka shënuar nivele të reja në barometrin e Mourinhos në merkaton europiane, e me këtë ritëm, me të gjitha gjasat ai do të kalojë kufirin e 1 miliardë Paund të shpenzuar në karrierën e trajnerit.

Top Channel