Raporti i KLSH-së, reagon Braçe: Nuk kemi qenë në dijeni

10/08/2016 00:00

Pas lajmit të transmetuar nga Top Channel mbi raportin e KLSH-së për bankat, reagimi i parë ka ardhur nga kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe.

Në një status në profilin e tij në Facebook, Braçe thotë se, as ai dhe as komisioni që drejton “nuk kanë qënë në dijeni të një raporti të tillë”.

“Por, as vetë KLSH nuk ka kërkuar asnjëherë një seancë të posaçme në komision për të njoftuar për këtë raport kontrolli mbi një çështje kaq të ndjeshme”, vazhdon më tej deputeti socialist.

Erjon Braçe thotë se do t’i propozojë komisionit që të mblidhet në javën e parë të shtatorit.

“Kreu i KLSH, Bujar Leskaj dhe guvernatori aktual i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko do të thirren në një seancë të jashtëzakonshme për të raportuar për këtë raport, problematikën, vendimmarrjen në atë periudhë të Këshillit Mbikëqyrës dhe guvernatorit”, deklaron Braçe.

Ai shton më tej se, për çdo abuzim të pretenduar nga KLSH do të vihet në dijeni edhe prokuroria.

Top Channel