“Roja e Gjelbër”, kapen 9 metër kub lëndë drusore në Dibër

10/08/2016 00:00

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e prerjes së paligjshme të pyjeve, efektivët e komisariatit të policisë së Dibrës kanë goditur dy raste të tjera.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në hyrje të qytetit të Peshkopisë është bllokuar automjeti tip “IFA” që po transportonte pa dokumentacionin përkatës 6 metër kub lëndë drusore. Uniformat blu ndaluan edhe drejtuesin e mjetit, shtetasin me inicialet H.L, 36 vjeç nga Dibra.

Po nga shërbimet e komisariatit të Dibrës, më vonë gjatë ditës në lagjen “Gjokë Doçi” të Peshkopisë u kap shtetasi A.L, 32 vjeç, duke transportuar 3 metër kub lëndë drusore me mjetin e tij tip kamionçinë tip, edhe ky pa dokumentacionin përkatës.

Për t’i shpëtuar kontrollit të policisë shtetasi i lartpërmendur e kishte mbuluar lëndën drusore me bar.

Ndaj dy të arrestuarve ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë, ndërsa lënda drusore dhe automjetet janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Çështja po ndiqet nga prokuroria e rrethit.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel