Dy atashehë të ambasadës turke në Athinë janë zhdukur prej disa ditësh nga kryeqyteti grek, bashkë me familjet e tyre.

Mediat greke, që citojnë ato turke por edhe disa burime zyrtare vendase, raportojnë se bëhet fjalë për atashehun ushtarak dhe atë të Marinës Detare të Turqisë.

Sipas burimeve, dy oficerët në fjalë dyshohen se kanë qenë bashkëpunëtorë të organizatorëve të grushtit të shtetit më 15 korrik në Turqi dhe se janë larguar drejt Italisë me anijet e linjës, për sa kohë kishin ende pasaporta diplomatike.

Burimet saktësojnë se, kolonel Ilhan Giasitli dhe kapiteni i Marinës Detare, Halish Tunxh kanë marrë me vete edhe familjet e tyre, gjithësej 8 persona.

Data e saktë e largimit të tyre nuk dihet ende, por më 29 korrik ata nuk kanë qenë të pranishëm në ceremoninë e NATO-s në kantierin detar të Salaminës, ku ishin të ftuar, ndërsa mungojnë prej shumë ditësh edhe në ambasadën turke në Athinë.

Për momentin nuk dihet nëse ata kanë kërkuar azil politik në Greqi apo në ndonjë shtet tjetër europian, por lajmi për dezertimin eventual të tyre vjen disa orë pasi një oficer i lartë turk kërkoi azil politik në Shtetet e Bashkuara.

I ndodhur me detyrë në bazën amerikane të NATO-s në Norfolk, oficeri bëri kërkesën në fjalë pasi për të është lëshuar një urdhërarrest nga Ankaraja, në vazhdën e spastrimeve që nisën menjëherë pas grushtit të dështuar të shtetit.

Top Channel