Itali, projektligji “Savino”

10/08/2016 00:00

Deputetja italiane Elvira Savino ka propozuar një projektligj, i cili dënon me burg prindërit që ushqejnë fëmijët e tyre me dietën vegjetariane. I njohur si “projektligji Savino” ai e konsideron këtë dietë si të rrezikshme për shëndetin.

Nga menuja e saj përjashtohen bulmetrat, mishi dhe nënproduktet e tij. Për deputeten e “Forza Italia”-s, nëse një fëmijë deri në 16 vjeç nuk ushqehet me to, atëherë nuk është rritur shëndetshëm, pasi në organizmin e tyre mungon hekuri, zinku, vitamina B12 dhe të tjerë elementë të domosdoshëm për rritjen.

Fushata që po bën Savino, e cila ka punuar gjatë në sektorin e marrëdhënieve me publikun, po bëhet gjithmonë e më e përhapur në Itali. “Nuk ka asnjë kundërshtim nëse personi e ka bërë vet këtë zgjedhje dhe me dëshirë. Problemi është te fëmijët që rriten pa vetëdije me stilin vegjetarian”, tha deputetja.

Muajin e kaluar, dy prindërve në Itali iu hoq kujdestaria e djalit të tyre, i cili ishte njëvjeçar dhe peshonte vetëm 5 kg nga kequshqyerja. Por Shoqëria italiane e Shkencave të Ushqimit hodhi poshtë propozimet e Savinos, duke thënë për “La Repubblica” se dietat që përmbajnë sheqer të tepërt dhe yndyrna janë një shqetësim më i madh sesa dieta vegjetariane.

Top Channel