De Maiziere: Gjermania, e rrezikuar nga sulmet terroriste

10/08/2016 00:00

Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere ka bërë të ditur se vendi i tij vijon të përballet me një kërcënim të qenësishëm për sulme terroriste.

“Jemi duke jetuar në kohë të vështira. Kërcënimet terroriste janë të larta dhe, si policia federale, ashtu dhe ajo shtetërore janë nën presion të madh”, është shprehur de Maiziere përpara reporterëve në Bremen, ku ka qenë për një vizitë në selinë e policisë.

Gjermania gjendet në një situatë “alarmi maksimal” pas një sërë sulmesh që prej muajit korrik. 15 persona kanë mbetur të vdekur, përfshi këtu 4 agresorë, ndërsa me dhjetëra të tjerë janë plagosur.

Policia nga ana e saj ka ndërmarrë një sërë bastisjesh kundër të dyshuarve ekstremistë islamik në disa zona të shtetit perëndimor të North Rhine-Westphalia, ditën e mërkurë. Kontrolle të rrepta ka pasur edhe në Duisburg dhe Dortmund.

Një zëdhënëse e Prokurorisë Federale tha se kërkimet janë zhvilluar në shtëpitë e 3 personave të dyshuar se po përpiqen të rekrutojnë të rinj për të luftuar në krah të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak. Megjithatë, deri më tani gjatë kësaj jave nuk ka pasur asnjë të arrestuar.

Një 24-vjeçar, refugjat sirian, u ndalua nga policia në North-Rhine Westphalia gjatë javës së kaluar, pasi policia kishte marrë informacione mbi planifikimin e një sulmi terrorist në këtë shtet.

Sa i përket përforcimit të masave, De Maiziere pritet të propozojë një sërë masash sigurie gjatë së enjtes më 11 gusht. Ato pritet të përshpejtojnë deportimin e të padëshiruarve, si dhe heqjen e konfidencialitetit mes mjekëve dhe pacientëve në disa raste, bën të ditur media gjermane.

Top Channel