Fund moratoriumit nga “dermatoza”, Panariti: Do të lejojmë lëvizjen e kafshëve

10/08/2016 00:00

Një muaj nga vendimi i Ministrisë së Bujqësisë për të ndaluar lëvizjen e kafshëve dhe se sëmundja e “dermatozës nodulare” kishte prekur vetëm 300 krerë nga 300 mijë gjithsej, ministri Panariti lajmëron heqjen e moratoriumit duke filluar nga java që vjen.

“Do të hapim në mënyrë graduale moratoriumin, fillimisht duke lejuar lëvizjen e kafshëve nga stalla drejt thertores, e më pas lëvizjen e tyre të kontrolluar nga stalla drejt tregjeve apo nga stalla në stallë”, tha Edmond Panariti, ministër i Bujqësisë.

Ministri thotë se sëmundja ka prekur vetëm fermat në veri dhe verilindje të vendit, për të cilat do të ketë kompensim dëmi.

“Jemi të detyruar, fatkeqësisht, t’i asgjesojmë kafshët dhe t’i groposim. Me autoritetet lokale do të bëjmë edhe vlerësimin e shkallës së dëmit, pasi janë zona të varfra. Do të shohim mënyrën e kompensimit që mund të mos jetë domosdoshërisht kompensim financiar, por zëvendësim me krerë të shëndoshë, madje besoj më shumë te kjo e fundit”, tha më tej Edmond Panariti.

Ministri bëri publike edhe shifrat e eksportit, që për këtë 6-mujor njohën dyfishim sa i përket eksportit të frutave krahasuar me një vit më parë, si dhe një rritje të eksportit të perimeve me 28%. Harta është zgjeruar me vende si Çekia dhe Lituania, ndërsa në anën tjetër, ulja e importit në masën 7.8% ka përmirësuar bilancin eksport/import.

“Kjo i ka injektuar ekonomisë 50 mln dollarë më shumë se një vit më parë”, deklaroi ministri Panariti.

Top Channel