Zgjedhjet në Dibër, PD: Rama, presion Kolegjit Zgjedhor për t’i shtyrë

10/08/2016 00:00

Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Rama se, nëpërmjet drejtorit të Parandalimit të Parave, Alket Hyseni, po u bën presion gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor me qëllim shtyrjen e zgjedhjeve në Dibër.

“Ky ushtar i Edi Ramës u ka kujtuar njerëzve të ligjit se, nëse nuk vendosin për shtyrjen e zgjedhjeve do të përballen me hakmarrjen e Ramës në procesin e ‘vetting’-ut. Nga paniku i gjykimit të qytetarëve me votë, Edi Rama po lëviz çdo gur për të shtyrë zgjedhjet në Dibër”, tha Ivi Kaso, sekretar për zgjedhjet në PD.

Aktualisht në Kolegjin Zgjedhor nuk është depozituar asnjë ankimim nga Partia Socialiste, e cila nuk kundërshtoi asnjë vendim të KQZ-së në mbledhjen e parë për organizimin e procesit zgjedhor në Dibër. Por Partia Demokratike, pa dhënë shpjegime, në deklaratën e saj përdori një gjuhë të ashpër dhe riktheu protestat në fjalorin e vet politik.

“Këto kërcënime mafioze janë akte terroriste, që hedhin në erë çdo formë të demokracisë në vend, si dhe shpallje lufte ndaj çdo standardi të shtetit ligjor. Populli do të dijë të përgjigjet shumë shpejt, me votë e me fuqinë e sovranit në rrugë e në sheshe, për ta shkulur këtë të keqe që i ka zënë frymën vendit”, deklaroi Kaso.

Top Channel