Kosovë, pas gazit lotsjellës vendoset data e seancës së demarkacionit

10/08/2016 00:00

Pavarësisht hedhjes së gazit lotsjellës për të disatën herë, Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur këtë të mërkurë, që seanca për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi të mbahet më 1 shtator, duke nisur nga ora 10:00.

Në mbledhjen e kryesisë, përveç përfaqësuesve të pozitës ishin të pranishëm edhe Pal Lekaj nga AAK-ja dhe Valdete Bajrami nga “Nisma për Kosovën”. Vetëvendosje nuk ishte e pranishme pas hedhjes së gazit lotsjellës nga deputeti Glauk Konjufca.

Përdorimi i gazit lotsjellës vijoi edhe këtë të mërkurë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ku po merrnin pjesë veç anëtarëve të qeverisë edhe opozita, teksa diskutonin për caktimin e seancës plenare për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Këtë herë, gazin lotsjellës në kryesi e ka hedhur shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca. Ai vet është shprehur pas aktit duke thënë shkurtimisht se “e kreva shpejt”.

Më herët, gazetarët ishin larguar nga vendi ku mbahej mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, e cila i ndërpreu përkohësisht punimet deri në pastrimin e ajrit. Opozita kishte paralajmëruar se do të ndërmarrte të gjitha masat, përfshirë edhe ato radikale, për të penguar ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, sipas marrëveshjes aktuale.

Skena të tilla me gaz lotsjellës janë rikthyer në arenën politike të Kosovës që prej ditës së martë, kur në Komision e Punëve të Jashtme ishte Driton Çaushi i Lëvizjes Vetëvendosje, ai që hodhi gaz lotsjellës, ndërsa ngjarje të tilla kishin kohë që nuk ishin parë, që prej seancave para zgjedhjes së Thaçit president.

Në atë kohë, 3 partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia “Nisma për Kosovën” kushtëzonin zhbllokimin e Kuvendit me tërheqjen e nënshkrimeve që kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kishte vënë në marrëveshjen me Serbinë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Top Channel