Francë, dyshime për plane terroriste. Hetohet 16-vjeçarja

10/08/2016 00:00

Një adoleshente minorene në Francë është vënë nën hetim, pasi akuzohet se ka planifikuar një sulm xhihadist duke përdorur aplikacionin e mesazheve “Telegram”. Lajmi bëhet i ditur nga zyrtarë të drejtësisë franceze, ndërkohë që vajza është e moshës 16-vjeçare.

E dyshuara nuk ka asnjë rekord kriminal nga e kaluara e saj, por është prangosur në shtëpinë e saj gjatë së enjtes së kaluar, pas një bastisjeje antiterror në periferi të Parisit. Ajo ishte administratore e një grupi në aplikacionin që konsiderohet gjerësisht si i pagjurmueshëm nga shërbimet e sigurisë, ndërsa akuzohet se ka bërë thirrje për sulme.

Aplikacioni “Telegram”, një krijim i vitit 2013 nga vëllezërit rusë, Nikolai and Pavel Durov, është përdorur edhe nga terroristi që vrau priftin në Normandi gjatë muajit të kaluar. Bastisja e së enjtes ishte rezultat i monitorimit nga shërbimet e sigurisë të sjelljeve të dyshimta në rrjetet sociale, sipas asaj që bën të ditur gazeta “Le Parisien”.

Ata vunë re grupin ku ishin përfshirë disa anëtarë, rreth një duzinë, të cilët po diskutonin në lidhje me propagandën e të ashtuquajturit Shteti Islamik, përfshi edhe thirrje për ndërmarrjen e sulmeve, si dhe video, bën të ditur gazeta.

Hetimet zbuluan se administratorja e grupit ishte një 16-vjeçare, nxënëse e një shkolle të mesme. “Ajo kishte kaluar nëj sërë mesazhesh propagandistike të grupit të Shtetit Islamik që bënin thirrje për sulme, ndërsa kishte shprehur edhe synimin e saj për të marrë pjesë”, thotë një burim i afërt me hetimet për agjencinë e lajmeve “AFP”.

Forcat e sigurisë mësynë më pas shtëpinë e familjes së saj në Melun, në Jugperëndim të Parisit, por nuk gjetën as eksplozivë dhe as armë, ndërkohë që bënë shoqërimin e saj në rajonin policor. Sipas hetuesve, vajza ishte “ekstremisht e radikalizuar” dhe ishte administratore e një grupi “chat”-i të dedikuar propagandës së Shtetit Islamik. Këtë e konfirmon edhe Laure Vermeersch, zv.prokuror, gjatë orëve të vona të së hënës.

Vajza, emri i së cilës nuk bëhet publik, nuk ka përmendur ndonjë objektiv specifik, tha Vermeersch.

Top Channel