Tiranë, Veliaj inspekton punimet për parkun e lojërave në Allias

10/08/2016 00:00

Bashkia e Tiranës nisi ndërtimin e këndit të 6 të lojërave për fëmijë në kryeqytet. Erion Veliaj inspektoi punimet në Njësinë numër 4 dhe premtoi se projektet për ndërtimin e hapësirave për fëmijët do të vijojnë gjatë të gjithë verës, në të gjithë qytetin.

“Këndi i lodrave te Liqeni ishte projekti më i anatemuar, sepse ishte projekti më i suksesshëm. Kjo do të thotë që atë sukses kemi nevojë ta përsërisim. Gjatë debatit për këndin e lodrave, argumenti ynë ishte se nuk kemi pse të zgjedhim ose te Liqeni, ose nëpër lagje. Ne do të bëjmë edhe këndin te Liqeni, edhe këndet në lagje. Ndaj më vjen mirë, që sot fillojmë këndin e 6 të lodrave në Allias”, tha kryebashkiaku Erion Veliaj.

Investimet në infrastrukturë dhe kulturë, Veliaj i cilësoi si mjaft të rëndësishme për të mbajtur të lidhur komunitetin, ndërsa këndi i lojërave në Allias do të jetë gati në fund të verës.

“Infrastruktura që shërben për kulturën komunitare, që i mban familjet e lidhura, që i inkurajon fëmijët të merren me aktivitet fizik, është ekzaktësisht vizioni që kemi për Tiranën”, tha më tej Veliaj.

Projekti i bashkisë për fëmijët dhe komunitetin e Njësisë 4 parashikon ndërtimin e një fushe sportive, ndërhyrjen në ndriçim dhe gjelbërim, si dhe shtimin e lodrave të tjera.

Top Channel