Kosovë, koalicioni duket se nuk i ka votat për ratifikimin e Demarkacionit

10/08/2016 00:00

Numri i deputetëve që po e kundërshtojnë marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi tashmë është rritur, madje edhe në radhët e partive të koalicionit qeverisës.

Sipas deklarimeve të deritanishme rezulton se koalicioni nuk i ka numrat për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, që pritet të përfshihet në seancën plenare të së enjtes, siç shkruan “Zëri”.

Bëhet fjalë për mbi 10 deputetë të partive në koalicionin qeverisës, të cilët janë shprehur hapur kundër ose kanë shprehur rezerva ndaj kësaj marrëveshjeje. Në bazë të një llogaritjeje të thjeshtë del se koalicioni nuk i ka votat e duhura, plot 80 për ratifikimin e saj.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se është përgjegjësi e deputetëve të marrin vendim, por – sipas tij, – do t’u kërkojnë atyre që ta votojnë këtë marrëveshje.

Megjithatë, ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit është në rendin e ditës së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Të kontaktuar nga “Telegrafi”, disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë thënë se ende nuk janë të vendosur nëse do të votojnë pro apo kundër kësaj marrëveshjeje.

Njëri ndër ta është edhe Bislim Zogaj, i cili  ka thënë se është ende i pavendosur për votën e tij. Të njëjtin mendim e ndajnë edhe deputetja Luljeta Veselaj, deputeti Rafet Rama, dhe ajo Salihe Mustafa. Ndërsa deputetët Blerta Deliu, Labinotë Demi dhe Shukri Buja kanë thënë për “Telegrafin” se votën e tyre do t’ia besojnë vendimit të grupit parlamentar të PDK-së.

Top Channel