Pas takimit me Erdogan, Putin: Sanksionet ndaj Turqisë hiqen gradualisht

10/08/2016 00:00

Rusia do të heqë gradualisht sanksionet ndaj Turqisë. Kështu deklaroi presidenti rus Vladimir Putin, gjatë konferencës për shtyp me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, ku theksoi se bisedimet mes dy udhëheqësve ishin të rëndësishme dhe konstruktive për marrëdheniet dypalëshe.

Në të njëjtin kuadër, Erdogan tha se Turqia është e gatshme të dërgojë gazin rus në Europë, duke rinisur projektin e gazsjellësit “Turkish Stream”. Zyrtarë rusë deklaruan se punimet për fazën e parë të gazsjellësit do të përfundojnë në vitin 2019, një shenjë e qartë e riparimit të raporteve mes dy vendeve.

Duke nënvizuar pikërisht këtë, Putin tha se ishte i pari që i telefonoi Erdoganit pas grushtit të dështuar të shtetit, për t’i shprehur atij mbështejen e Moskës. Udhëheqësi i Kremlinit tha se, pavarësisht kontradiktave me Ankaranë, qëndrimi rus në këtë rast ishte parimor, pasi Moska nuk pranon asnjë ndryshim të jashtëligjshëm të rendit kushtetues.

Putin vlerësoi gjithashtu vizitën e Erdoganit, ndërkohë që Turqia po kalon një periudhë të vështirë, diçka që tregon se Ankaraja është e gatshme për normalizimin e raporteve në interes të dy popujve.

Presidenti rus tha gjithashtu se tashmë ka ardhur koha që të flitet seriozisht për rinisjen e marrëdhenieve tregtare dhe ekonomike mes Turqisë dhe Rusisë, si dhe për bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit.

Top Channel