Zv.presidenti amerikan, Joe Biden viziton Kosovën javën e ardhshme

10/08/2016 00:00

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë javën e ardhshme. Njoftimi është bërë mbrëmjen e së martës nga Shtëpia e Bardhë.

Në faqen zyrtare të saj, ku është bërë shpallja e turneut ballkanik të numrit dy të administratës “Obama”, që do të mbahet prej 15 gushtit deri më 17 gusht, thuhet se Biden do të mbajë takime me presidentët dhe kryeministrat e të dy vendeve, por nuk bëhet e ditur se për cilat çështje do të diskutohet.

Kosovën e ka vizituar në muajin dhjetor të vitit të kaluar edhe kryediplomati amerikan John Kerry, ndërkohë që pak javë më parë edhe ndihmëssekretarja e Shtetit, Victoria Nuland.

Vizita e Kerryt në Prishtinë ishte për të theksuar shqetësimet e Perëndimit për ritmin e ngadalshëm të progresit, 16 vite pasi NATO-ja e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara e vuri Kosovën në rrugën e pavarësisë.

Agjencia “Reuters” kujton se Kosova, një vend me shumicë popullsie myslimane shqiptare, por vend sekular dhe në mënyrë të fuqishme proamerikan, e ka shpallur Pavarësinë në vitin 2008.

Top Channel