Britani, May: Negociatat për Brexit, jo para 2017-s

09/08/2016 00:00

Britania e Madhe nuk ka ndërmend të aktivizojë nenin 50 të Traktatit të Lisbonës për t’i dhënë jetë nisjes së negociatave për largimin nga BE, pas referendumit të Brexit, para fillimit të vitit të ardhshëm.

Këtë e ka theksuar sërish kryeministrja Theresa May në një seri bisedimesh telefonike me homologët e Holandës dhe Danimarkës, Mark Rutte dhe Lars Lokke Rasmussen.

May ka nënvizuar se në këndvështrimin e saj është e nevojshme një periudhë kohore “e përshtatshme” për të favorizuar një proces “të butë dhe të rregullt”.

Nga momenti i aktivizimit të nenit 50 do të nisin dy vitet e parashikuara nga traktati për të përfunduar negociatat e daljes.

Shefja e qeverisë britanike ka konfirmuar mes të tjerash objektivin për të ruajtur marrëdhënie dypalëshe pozitive si me BE-në në tërësi, ashtu dhe veç e veç me vendet anëtare të saj.

Top Channel