Kroacia: Serbia s’hyn në BE pa u çliruar nga “virusi jugosllav”

09/08/2016 00:00

Ministri i Jashtëm kroat, Miro Kovaç ka deklaruar se Serbia nuk mund të futet në Bashkimin Europian pa u çliruar më parë nga “virusi agresiv jugosllav i Serbisë së madhe”.

Deklarata e tij ka ardhur pas atyre të krerëve të qeverisë serbe, lidhur me zanafillën e konflikteve luftarake të viteve ’90 në Ballkan.

Për shefin e diplomacisë kroate, pushtetarët e sotëm në Beograd janë të njëjtët që shekullin e kaluar nisën luftën kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjes dhe Kosovës.

“Sot, në vend që të përballen me përgjegjësitë e tyre për nisjen e konflikteve, marrjen e qindra mijëra jetëve dhe shkatërrimin e ekzistencave, zyrtarët serbë nxisin ndjenjat e hakmarrjes, duke i bërë thirrje popullit të tyre që të dalë kundër popujve të tjerë, duke penguar kështu vendosjen e rendit dhe të fqinjësisë së mirë në rajon, në kuadër të frymës europiane”, ka thënë Kovaç.

Ai i është referuar këtu deklaratës së kryeministrit serb Aleksandar Vuçiç më 4 gusht  në Zemun, ku foli për “vuajtjet e popullit serb” nga operacioni “Shtrëngata” i trupave kroate.

“Por Vuçiç nuk tha se bëhej fjalë për një territor kroat, apo për përndjekjen, torturimin dhe vrasjen e qindra mijëra kroatëve”, ka thënë Kovaç.

Top Channel