Parkingjet nëntokësore, Veliaj flet për projektin e “Skënderbej”

09/08/2016 00:00

Kur e gjithë sipërfaqja e tij pritet të kthehet në zonë pedonale, nëntokë Sheshi Skënderbej do të shndërrohet në hapësirë parkimi për automjetet, me një kapacitet prej 300 vendesh.

“Pjesa mes Muzeut Kombëtar dhe Bankës së Shqipërisë, ai territor nuk ka shatërvanë dhe vaska nëntokësore, gjersa hapet sheshi menduam që në një kohë prej 6 deri në 7 muajsh do të mund të prodhojmë një parking nëntokësor e administruar nga Bashkia e Tiranës”, thotë kryebashkiaku Erjon Veliaj.
 
Bashkë me parkingjet nëntokësore në hotelin e madh në qendër të qytetit, qendrën tregtare përballë ish-selisë së Partisë Demokratike dhe xhamisë që po ndërtohet, në total qendra e Tiranës do të ofrojë rreth 1200 parkingje nëntokësore. Kjo sipas kreut të bashkisë zgjidh problematikën e ngritur mbi projektin e sheshit për të gjitha ata që punojnë në qendër të kryeqytetit.

Këto deklarata kreu i bashkisë i bëri gjatë inspektimit të projektit të shkollave verore që ka nisur në 7 shkolla të kryeqytetit e që do të ofrojnë aktivitete të ndryshme për fëmijët gjatë muajit gusht, vecanërisht për ata në pamundësi ekonomike, për të patur pushime verore si të gjithë të tjerët.

Top Channel