Shtohen urgjencat, 130 raste çdo ditë tek Trauma

09/08/2016 00:00

Sezoni turistik ka shtuar rastet e urgjencave në Spitalin Universitar të Traumës. Por edhe se në kohë pushimesh, Ministri i Shëndetësisë garanton qytetarët se personeli  mjekësor është në gatishmëri të plotë për të pritur rastet e rënda, krahas 25 qendrave që janë ngritur posacërisht për sezonin turistik.

“Në këtë sezon veror, në këtë spital, siç e tha edhe doktori janë rreth 130 trauma në ditë, që do të thotë që çdo 11 minuta, këtu paraqitet një urgjencë. Në qoftë se kjo është një periudhë ku të gjithë mendojnë se ku do të pushojnë apo ku do t’i kalojnë pushimet, këtu me përkushtim dhe profesionalizëm iu përgjigjen të gjithë nevojave të gjithë Shqipërisë”, u shpreh ministri Beqaj.

“Janë të gjitha, nuk kemi mungesa fare dhe kemi një furnizim të plotë me medikamente, ekzaminime laboratorike, ekzaminimet imazherike”, thotë drejtori i Spitalit të Traumës, Gjovalin Bushi.

Kreu i shëndetësisë thotë se në këtë spital do të investohen 5 milionë euro cka do të përmirësojë shërbimin. Paralelisht me këtë, përmirësimi i Urgjencës Kombëtare Mjekësore në autoambulanca dhe personel mjekësor do të bëjë që rastet të mund vijnë këtu të trajtuara në mënyrë më profesionale.

Top Channel