“Rio 2016”, kinezët fitojnë të artën e radhës

09/08/2016 00:00

Dyshja kineze Lin Yue dhe Chen Aisen fituan medaljen e artë në hedhjen e sinkronizuar 10 metra nga trampolina. Kjo ishte hera e parë që këta dy sportistë, kampionë bote në këtë disiplinë, garuan së bashku në një Olimpiadë. Në vendin e dytë u rendit skuadra amerikane, ndërsa në të tretën dyshja britanike.

Tajlanda, 2 medalje në Rio

Tajlanda zuri dy vendet e para në peshwngritje për femra. Sukanya Srisurat fitoi medaljen e artë në kategorinë 58 kg, pasi ngriti në dygarësh 240 kg, 8 kg më shumë se bashkëkombësja e saj Pimsiri Sirikaew. Medaljen e bronzit në këtë disiplinë e mori kinezja Kuo Hsing-Chun me 231 kg.

Volejboll në plazh, brazilianet mundin me lehtësi 2-0 rivalet e përjetshme

Në volejbollin e plazhit, një nga aktivitetet më popullore në “Rio 2016”, Brazili mposhti 2-0 me sete Argjentinën, që njihet si rivali i tyre i përjetshëm. Bednarczuk dhe Barbara Seixas fituan lehtësisht 21-11 dhe 21-17 dhe kalojnë në krye të grupit B.

Brazili merr arin e parë

Rafaela Silva zuri vendin e parë në xhudo dhe i dhuron Brazilit medaljen e parë të artë në këto Lojëra Olimpike. 24-vjeçarja e cila garonte në peshën 57 kg mundi në finale rumunen Caprioriu, sportisten e cila në “Londër 2012” mori medaljen e argjendtë në këtë disiplinë. 

Regbi, femrat australiane mundin zelandezet dhe shpallen kampione

Femrat australiane u shpallën kampione olimpike për herë të parë në sportin e regbisë. Ato mposhtën në finale 24-17 përfaqësuesen e Zelandës së Re. Ndërkohë, medaljen e bronzit e fitoi kombëtarja kanadeze, që mundi 33-10 Britaninë e Madhe. Kjo është medalja e parë olimpike për kombëtaren kanadeze në 92 vjet Olimpiada.

Rusia, e para në skermë

Rusia ka zënë dy vendet e para në sportin e skermës. Yana Egorian surprizoi në finale pasi mposhti bashkëkombasen e saj Sofja Velikaja, e cila ishte favoritja kryesore për fitimin e medaljes së artë. Vendin e tretë e zuri ukrainasja Olga Karlan.

Dominimi amerikan në not

Amerikania Lilly King fitoi medaljen e artë në 100 metra bretkosë me kohën 1 minutë, 4 sekonda e 93 të qindat, duke vendosur kështu dhe një rekord të ri olimpik. 

Edhe amerikani tjeter Ryan Murphy theu një rekord olimpik. Ai triumfoi në garën e 100 metrave shpinë me kohën 51 sekonda e 91 të qindat, duke lënë pas kinezin Jiayu Xu dhe amerikanin tjetër David Plummer.

Në 200 metra stil i lirë, kinezi Yang Sun vazhdon të mbetet pa rivalë. Ai e mbylli garën me kohën 1 minutë 44 sekonda e 65 të qindat, ndërkohë që ndjekësi më i afërt ishte afrikano-jugorin Le Clos me 55 të qindat më shumë.

Top Channel