Në dorën e Nishanit, partitë presin zgjidhjen e Presidentit

09/08/2016 00:00

Me përfaqësuesit e grupeve parlamentare, Presidenti zhvilloi një takim të shkurtër, rreth gjysmë ore, një takim që të gjitha palët e përshkruajne si konstruktiv dhe ku janë angazhuar të pranojnë çdo zgjidhje që Presidenti i Republikës do t’i japë ngërçit kushtetues për ngritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Katër grupet parlamentare të përfaqësuara në takim nuk bënë deklarata për mediat, por mësohet se vetëm Partia Socialiste ka mbajtur një qëndrim për mënyrën sesi duhet zgjidhur ngërçi i afatit kushtetues.

Gramoz Ruçi tha se Partia Socialiste beson se zgjidhja më e mirë është të pritet miratimi i ligjit, në mënyrë që Presidenti ta ushtrojë në mënyrë substanciale kompetencën e tij kushtetuese në procesin e ngritjes së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Me ndryshimet që pësoi reforma kushtetuese, ngritja e këtij organi nuk është një çështje urgjente, sepse ky organ do të duhet të veprojë pas procesit të “Vettingut” për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorit të ri të Drjetësisë.

Tre përfaqësuesit e tjerë në takimin me Presidentin, Luan Rama i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edi Paloka i Partisë Demorkatike dhe Fatmir Mediu i Partisë Republikane, nuk kanë patur ndonjë qëndrim të veçantë për t’i sugjeruar Presidentit, por e kanë siguruar se do të pranojnë çdo vendim që ai do të marrë.

Vetë Presidenti thotë se e konsideron të rëndësishme zbatimin rigoroz të afateve kushtetuese dhe ligjore, por nuk bën të qartë, nëse do ta hedhë apo jo shortin brenda datës 16 gusht, kur thotë se është i domosdoshëm zhvillimi i një procesi sa më të mirë të mundshëm dhe i mirëpritur nga Parlamenti.

Kushtetuta e re hyn në fuqi më datë 11 gusht dhe Presidenti ka pesë ditë kohë, pra deri më datë 16 gusht që të organizojë përzgjedhjen me short të anëtarëve të Këshilli të Emërimeve.

Por, disa ditë më parë, Presidenti vuri në dukje vakuumin ligjor për këtë proces pasi nuk ka kaluar ligji përkatës i reformës në drejtësi. Lidhur me këtë, ai tha se kishte njoftuar Kuvendin dhe Top Channel mësoi përgjigjen e këtij të fundit, që i sugjeron Presidentit të mos e ushtrojë formalisht kompetencën e tij vetëm sa për të respektuar një afat kushtetues.

Kuvendi thotë se zgjidhja më e drejtë do të ishte që Presidenti ta ushtrojë kompetencën e tij në mënyrë substanciale, që do të thotë se ai duhet të presë miratimin e ligjit përkatës, ku detajohen kriteret për të cilat flet Kushtetuta.

Top Channel