Pogba shndërrohet në “djall”

09/08/2016 00:00

Paul Pogba është lojtar i Manchester United. “Djajtë” paguan 120 milionë euro për të rikthyer mesfushorin francez në “Old Trafford”, i cili ishte larguar vetëm katër vite më parë. Pogba tashmë edhe zyrtarisht është sportisti më i shtrenjtë në botë.

23-vjeçari që pritet që të ketë numrin 6 në fanellë, firmosi një kontratë 5-vjeçare me mundësi rinovimi edhe për disa vite të tjera. Paga e tij javore do të jetë 290 mijë paund.

“Jam shumë i lumtur që u riktheva. Ka qenë gjithmonë një skuadër që ka pasur një vend të veçantë në zemrën time dhe mezi po pres të punoj me Jose Mourinhon”, tha Pogba pasi firmosi me United.

Francezi deklaroi se e ka shijuar periudhën në Torino me Juven, duke marrë me vete disa kujtime shumë të bukura, por tha se e ndjente që kishte ardhur koha për t’u rikthyer në Angli pasi kishte lënë disa punë përgjysmë.

Në anën tjetër, trajneri Jose Mourinho thuri elozhe për lojtarin më të ri të “djajve”, duke thënë se ai do jetë kyç në ekipin e Manchesterit për dekadën e ardhshme.

“Paul është një prej lojtarëve më të mirë në botë dhe do të jetë shumë i rëndësishëm për skuadrën e United të cilën dua ta ndërtoj për të ardhmen. Është i shpejtë, i fuqishëm, shënon gola dhe arrin të lexojë lojën më mirë se disa lojtarë që janë më të vjetër se ai. Ai është 23-vjeç dhe ka mundësi që të jetë në zemër të kësaj skuadre për dekadën e ardhshme”, deklaroi “Speciali”.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel