Trump shpalos planin ekonomik mes protestash

08/08/2016 00:00

Nën një klimë të tensionuar mes një grupi protestuesish, Donald Trump mbajti fjalimin e tij të parë ekonomik, fokusuar tek taksat e reja. Nga “Klubi Ekonomik i Detroit”, një takim tradicional për kandidatët politikë për të diskutuar vizionin e tyre ekonomikë, republikani tha se është koha për një epokë të re për Amerikën, larg globalizimit.

Manjati amerikan nuk i qëndroi deklaratave të bëra në shtator të vitit të shkuar, kur tha se plani i tij përfshin vendosjen e përkohshme të një moratorium për rregulloren e re federale sikurse edhe vendosjen e disa taksave të reja.

Sipas tij, taksa për korporatat do të ulet nga 35% që është aktualisht në vetëm 15%, por paralelisht me këtë është menduar për një taksë të re për të ardhurat personale, kur për këto të fundit kishte premtuar muaj më parë taksë zero.

Ky ishte fjalimi i parë i Trump mbi ekonominë, 1 javë pasi manjati amerikan bëri pjesë të ekipit të tij 13 këshilltarë ekonomikë, ndërsa fjalimi u ndërpre disa herë nga disa protestues, për të cilët kandidati republikan i kërkoi nga podiumi agjentëve të sigurisë që t’i nxirrnin jashtë.

Rivalja e tij demokrate, Hillary Clinton do ta shpalosë vizionin e saj për ekonominë nga Michigani të enjten por nuk ngurroi që ta quajë planin e Trump të dështuar sepse sipas saj do të dëmtojë miliona familje punëtore dhe do ta kthejë sërish vendin në recesion.

Java e shkuar për kampin republikan, sipas analistëve dhe sondazheve, ka qenë më e dobëta deri më sot. Sipas “exit poll”-it të realizuar nga “Washington Post” Clinton kryeson garën me 50% kundrejt 42% mbështetje për Trump.

Top Channel