Shtetasi turk arratiset nga Rinasi, policia: Përfitoi nga fluksi i madh i pasagjerëve

08/08/2016 00:00

Policia e Shtetit ka reaguar pas deklaratës së Partisë Demokratike se një shtetas turk është arratisur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit e të cilit i ishte ndaluar hyrja në territorin tonë.

Sipas policisë, të hënën e 8 gushtit ka ardhur nga Stambolli për në Shqipëri shtetasi turk I. E. Pas intervistimit nga Policia Kufitare, këtij shtetasi i është refuzuar hyrja për Shqipëri pasi nuk justifikonte qëllimin e udhëtimit.

Sipas procedurës ai është transferua përkohësisht në zonën e tranzitit deri në përfundim të procedurave për kthimin e tij në Stamboll, por këtu shtetasi turk ia ka arritur të largohet.

“Gjatë kohës që ky shtetas qëndronte në këtë zonë, duke përfituar nga fluksi i madh i pasagjerëve ka dalë duke kaluar tek zona e kontrollit të pasagjerëve dhe më pas ka hyrë ilegalisht në Shqipëri”, thuhet në deklaratë.

Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se dokumentet e identifikimit të shtetasit turk ndodhen tek oficeri i Policisë Kufitare pasi i njëjti po plotësonte dokumentacionin përkatës.

“Gjithashtu theksojmë se motivi i refuzimit paraprak i hyrjes në Shqipëri ishte mungesa e arsyes bindëse të udhëtimit. Ky shtetas nuk rezulton person në kërkim apo me probleme me drejtësinë”, vijon deklarata.

Ndërkohë vazhdon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes si dhe kapjen e shoqërimin e shtetasit turk për ta dërguar drejt Turqisë.

Top Channel