Suksesi i Majlindës, mediat: Është krenaria e sportit të Kosovës

08/08/2016 00:00

“Kjo është një gjë shumë e madhe. Fëmijët në Kosovë më shikojnë si një heroinë. Kjo që bëra është një provë për ta, që nëse duan diçka, mund ta kenë. Nëse duan, ata mund të bëhen kampionë olimpikë. Edhe pse kemi ardhur nga një vend i vogël, një vend të varfër, ne jemi të fortë”.

Këto ishin fjalët e para të Majlinda Kelmendit e cila me këtë deklaratë menjëherë pas fitores së medaljes së artë në Lojërat Olimpike 2016, i inkurajon të rinjtë e Kosovës të merren me sport e t’i shkojnë deri në fund ëndrrave të tyre.

25-vjeçarja nga Peja nuk doli jashtë pritshmërive dhe u shpall kampione olimpike në xhudo në peshën 52 kg. Atë që nuk e bëri 4 vite më parë në Londër me flamurin e Shqipërisë, ajo e bëri në Rio, në debutimin e Kosovës në evenimentin më të madh sportiv.

Suksesit të Majlindës i kanë kushtuar një vend të veçantë mediat më prestigjioze të globit. “Eurosport” e ka cilësuar 25-vjeçaren si krenaria e sportit në Kosovë, ndërkohë që “CNN” ka theksuar se Kelmendi është shqiptarja e parë që merr një medalje ari në Olimpiadë.

Majlinda Kelmendi shkruan emrin e saj me germa të artë në sportin tonë, si kampionia e parë shqiptare në një Olimpiadë.

Mësohet se falë këtij suksesi në “Rio 2016”, Kelmendi pritet të marrë një shpërblim prej 100 mijë eurosh nga shteti i Kosovës, ndërsa trajneri i saj Driton Kuka 50 mijë euro.

Top Channel