Mediu: Zgjedhjet me qeveri teknike

08/08/2016 00:00

Lulzim Basha priti në selinë e Partisë Demokratike Fatmir Mediun e Partisë Republikane, me të cilin diskutoi për zgjedhjet e ardhshme për të cilat aleati i përhershëm i demokratëve, tha se janë të rrezikuara nëse drejt tyre nuk shkohet me një qeveri teknike.

“Është provuar tashmë me zgjedhjet lokale, që kjo qeverisje dhe maxhoranca kanë manipuluar në mënyrë të qëllimshme zgjedhjet. Nëse do të ecim me koshiencën për të patur zgjedhje të lira dhe të ndershme është e domosdoshme që të kemi një qeverisje që të kemi dakordësi të të gjitha palëve sesi duhet të shkojmë në këto zgjedhje. Çdo formë qeverisjeje që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, një qeverisje që garanton një vullnet politik të përbashkët për zbatimin e standardeve zgjedhore, mendoj që do të ishte e pranueshme. Pra nuk përjashtohet Partia Socialiste nga kjo vendimmarrje. I takon gjithë klasës politike dhe forcave politike parlamentare”, u shpreh Fatmir Mediu.

Kreu i republikanëve tha se idenë e qeverisë teknike e kanë përforcuar edhe zërat brenda maxhorancës, ku përmendi Ilir Metën, ideja e të cilit, sipas Mediut,  nuk u hodh thjesht në kuadër të reformës në drejtësi.

Top Channel