Greqi, trafikantët e qenieve njerëzore presin një periudhë fitimprurëse

08/08/2016 00:00

Me Turqinë në krizë dhe kufijtë e Europës ende të mbyllur, trafikantët në veri të Greqi presin një verë me përfitime kolosale për ta. Policia greke ka bërë të ditur se trafikantët e qenieve njerëzore po përdorin metoda gjithnjë e më të sofistikuara, për të lëvizur refugjatët e bllokuar në zonat veriore të Greqisë.

Kërkesat më të larta në parà nga ana e trafikantëve, por edhe përkeqësimi i vazhdueshëm i mundësive të tyre për të pasur sukses, kanë bërë shumë pak për të penguar vendosmërinë e emigrantëve për t’iu drejtuar vendeve të Europës Qendrore e asaj Veriore.

Dhjetëra mijëra emigrantë janë bllokuar pas udhëtimeve të ndërmarra përmes ish-korridorit ballkanik për të vijuar më tej në vendet më të pasura të Europës. Qeveritë e këtyre të fundit kanë mbyllur kufijtë që prej muajit mars, në mënyrë që të shmangin përsëritjen e një emigrimi masiv si në vitin 2015, kur më shumë se një milion refugjatë dhe emigrantë mbërritën në Europë, duke shkaktuar probleme politike për udhëheqësit e këtyre vendeve.

Udhëtimi drejt veriut është bërë gjithnjë e më i rrezikshëm, por edhe konsumon shumë kohë. Siç ndodhi për shembull me një refugjat nga Afganistani, i cili kaloi 3 muaj në Portin e Pireut, pranë Athinës, përpara se të udhëtonte drejt veriut me tren, ku edhe ka ngecur prej atëherë.

Përpjekja e muajit të kaluar për grusht shteti në Turqi, e ndjekur prej një spastrimi “dragonian” të qeverisë atje ndaj të konsideruarve si kundërshtarë të Erdoganit, kanë shtuar edhe më shumë pasigurinë dhe paqartësinë.

Trafikantët në Greqi janë rishfaqur në numër edhe më të madh, që kur qeveria pastroi kampin e Idomenit në kufirin greko-turk në fund të majit, sipas zyrtarëve të rojeve bregdetare greke, policisë kombëtare dhe forcave të sigurisë të intervistuara nga “Associated Press”.

Në një operacion të fundit, policia ka arrestuar 29 anëtarë të dyshuar të dy rrjeteve trafikimi në veri në Greqi . Njëri prej këtyre grupeve kishte marrë informacione nga një oficer i policisë greke mbi hapësirat dhe kishte tentuar të përdorte kamera për shikim natën në kufirin greko-turk.

Policia thotë se trafikantët kanë sjellë rreth 600 emigrantë në Greqi, nga Turqia, gjatë muajve të fundit dhe i kanë ndihmuar ata të arrijnë nëpër shtete të tjera përmes taksive, kamionëve, e shumë mjete të tjera, përfshi edhe një sistem të koduar fjalës që përfshinin “qentë” për policët, “kamionë mbeturinash” për makinat e policisë, si dhe “blloqe çimentoje”, “peshq”, apo “qebap” kur i referoheshin vet emigrantëve.

Edhe agjencia ligjzbatuese e Bashkimit Europian, “EUROPOL”, ka analizuar të dhënat e operacioneve antitrafikim përgjatë 6 muajve të parë të vitit 2016. Sipas hetimeve, pagesat që gjatë vitit të kaluar përdoreshin për të gjithë udhëtimin nga Siria, apo vatrat e tjera të luftës, drejt BE-së, tashmë kërkohen vetëm për një kalim kufiri të vetëm. Emigrantët janë gjithashtu kanë më shumë gjasa që të mbahen në ndonjë vend për shumë muaj, derisa të bëhen “vulnerabël” ndaj shfrytëzimit.

“Vitin e kaluar, udhëtimet ishin shpesh të kompletuara në një apo dy javë. Tashmë një udhëtim mund të zgjasë për muaj të tërë”, thotë “EUROPOL”. “E ndërsa në vitin 2015 ishin vetëm 0.2% e emigrantëve, që deklaronin se u duhej të punonin për të paguar trafikantët, tashmë në vitin 2016 kjo shifër është rritur në 5 për qind”.

Top Channel