KQZ bëhet gati për zgjedhjet e 11 shtatorit në Dibër

08/08/2016 00:00

Kundërshtimi i dekretit presidencial për zhvillimin e zgjedhjeve në Dibër më 11 shtator, nuk do të thotë që Partia Socialiste do të bëhet pengesë për zhvillimin e procesit të parakohshëm elektoral.

Kjo u konfirmua në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i mbledhur për të marrë disa vendime për ngritjen e infrastrukturës zgjedhore në Bashkinë e Dibrës.

“Ne sot jemi përballë faktit të kryer, që ka një procedurë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të caktuar disa afate për përgatitjen e zgjedhjeve. Ne si Parti Socialiste jemi të detyruar që të jemi pjesë në këtë komision, të shikojmë këto afate dhe të marrim pjesë në zgjedhje. Por nuk mund të lëmë pa përmendur shkeljen e hapur që është bërë nga Presidenti i Republikës, për sa i përket faktit që ju sot, si KQZ, veproni me një dekret. Por ju normalisht nuk mund ta diskutoni dekretin”, tha Eridian Salianji, përfaqësues i PS-së në KQZ.

Me kërkesën e Partisë Socialiste, afati për regjistrimin e kandidatëve u shty deri më 20 gusht, që do të thotë se fushata në Dibër do të jetë zyrtarisht 3 javë të plota.

Një fushatë që do të marre vëmendjen e të gjithëve, për shkak se koalicionit qeveritar i duhet rikonfirmimi si shumicë në Dibër, ndërsa opozitës i duhet një fitore, qoftë edhe lokale, për të treguar ringritjen politike të Partisë Demokratike.

Top Channel