Integrimi, Bushati: Kushtet për përmbushjen e kritereve ekzistojnë

08/08/2016 00:00

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati deklaroi se ekzistojnë të gjitha kushtet që Shqipëria të përmbushë detyrimet për të marrë në vjeshtë rekomandimin nga Komisioni Europian për fillimin e bisedime për anëtarësimin në BE.

Sipas tij, në këtë drejtim nuk mjafton vetëm ndryshimi i Kushtetutës, por duhet edhe mirtami i paketës plotësuese ligjore dhe rezultate konkrete nga zbatimi i reformës.

“Nuk mjafton thjesht miratimi i paketës kushtetuese, por duhet të miratohen ligjet kryesore që i japin jetë këtyre ndryshimeve dhe të nisë puna për zbatimin e qenësishëm të kësaj reforme. Do të duhet të kemi një qasje revolucionare, që do të thotë se brenda vjeshtës duhet të demonstrojmë një trajektore suksesi në drejtësi, që nuk kufizohet vetëm tek ligjbërja por tek arritjet konkrete që duhet të jenë të prekshme nga qytetarët”, ka deklaruar Bushati.

Bushtati tha se duhet vullnet nga të gjitha palët politike në mënyrë që të mos krijohen zvarritje.

“Ky objektiv është i arritshëm nëse edhe aktorë të tjerë politikë do të kenë vullnetin për të ecur përpara për të mos zvarritur miratimin e 7 ligjeve që do t’i japin jetë ndryshimeve kushtetuese dhe më pas dizajnimin e institucioneve të reja që kanë të bëjnë me vetingun ose radiografinë për armatën e gjyqtarëve e prokurorëve, proces që pritet t’i japë një besueshmëri shtetit të së drejtës”, shtoi Bushati.

Ligjet plotësuese për reformën në drejtësi janë në diskutim nga komisioni i posaçëm parlamentar dhe nuk ka një datë konkrete se kur ato do të miratohen nga Kuvendi.

Top Channel