Rehabilitimi i Bregut të Lumit, Veliaj me komunitetin rom

08/08/2016 00:00

Dhjetëra familje të komunitetit rom vazhdojnë të jetojnë në kushte të mjerueshme në barrakat që kanë ngritur mbi shtratin e lumit të Tiranës.

Kreu i bashkisë, Erion Veliaj, gjatë inspektimit të punimeve për rehabilitimin e lumit, u bëri thirrje familjeve rome të braktisin zonën e Bregut të Lumit, që sa herë përballet me shira të fortë vë në rrezik jetën e tyre.

“Kemi avancuar me projektin për lumin e Tiranës, jemi deri në 90% të rehabilitimit total të tij. Kjo do të thotë që shmangim përmbytjet masive si ato që pamë në Maqedoni, në Shkup. Megjithatë nuk jemi 100% aty. Në pjesën e mbetur kemi disa problematika me banorët që kanë uzurpuar shtratin e lumit dhe që në fakt jeta e tyre është e para që rrezikohet”, deklaroi Veliaj.

Veliaj i kërkoi komunitetit rom të pranojë ofertën e Bashkisë së Tiranës. “Bashkia ka miratuar bonuset e qirave, që kompensojnë zhvendosjen e tyre në një banesë që e zgjedhin ata vetë. Kemi përcaktuar edhe repartin ushtarak në Shkozë, që me emergjencë do të rehabilitohet para se të na vijnë shirat e vjeshtës dhe i gjithë komuniteti të transferohet aty në banesa shumë më të mira se sa barrakat që kanë aktualisht”, tha Veliaj.

Kreu i bashkisë kishte një apel edhe për shoqatat e komunitetit rom. “Cilado organizatë, shoqatë, apo avokat i cili faturon rrogën e tij të majme në kurriz të këtij komuniteti duke i manipuluar ata, duke i kërkuar të vazhdojë të bëjë qëndresë brenda në shtratin e lumit, do të përballet me drejtësinë”, paralajmëroi Veliaj.

Top Channel