Sulmi ndaj Kuvendit, me elemente terroriste. Por s’ka vend për panik

08/08/2016 00:00

Anëtarët e Komisionit të Punëve të Brendshme, Sigurisë dhe Mbikëqyrjes së FSK-së, Fadil Demaku dhe Rexhep Selimi kërkuan nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, që të raportojë rreth sulmeve të fundit, atij kundër Kuvendit të Kosovës dhe incidentin në “BeerFest”.

Selimi tha se sot ka një shkas, që të jenë në një takim kaq të shpejtë.

“Ka të bëjë me një situatë sigurie. Rasti i sulmit në Parlament do të duhej të raportohej edhe nga ministri. Do të doja të dija se ku ka arritur policia me punën rreth zbardhjes së këtij rasti”, tha ai, duke kërkuar që të raportohet edhe për incidentin Festën e Birrës në qendër të qytetit, ku u krijua panik.

Nga ana tjetër, drejtori Maxhuni tha se nuk i lejohet të futet në analiza politike dhe se puna e tij është të japë kontribut me vlerësime profesionale.

“Incidentin e sulmit në Kuvend ne e vlerësojmë si incident mjaft serioz. E kemi cilësuar si akt me elemente terroriste. Dua t’iu siguroj që policia do të bëjë gjithçka është e nevojshme për t’i nxjerrë autorët para drejtësisë. Tashmë, për interes të këtij hetimi, kemi marrë në pyetje disa persona”, tha Shpend Maxhuni.

Ai nuk ofroi më shumë detaje për rastin, duke e arsyetuar me ndjeshmërinë që ka ky proces hetimi. Drejtori i Policisë tha se kanë marrë dëshmitë përkatëse nga vendi i ngjarjes, e po ashtu kanë dhënë një shpërblim për informatorët e mundshëm.

“Sa i përket incidentit në ‘Beer Fest’, qytetarë të panjohur për ne kanë shtënë me armë gazi. Besoj se edhe kjo ngjarje duhet të shërbejë si shembull se, si duhet të koordinohemi të punojmë me opinionin dhe organizatorin”, ka thënë Maxhuni, duke tërhequr vërejtjen që organizime të tilla duhet të menaxhohen dhe projektohen me të gjitha institucionet përkatëse.

“Nuk ka vend për panik, as nga incidenti në ‘BeerFest’ ku është gjuajtur me armë gazi, e as nga sulmi në Kuvend”, ka thënë Maxhuni.

Top Channel